Më shumë se një Kamp Veror!

Më shumë se një Kamp Veror!

Temperatura 40 gradë dhe pritja nën avullin përvëlues të asfaltit në kryqëzimin e “Don Boskos” nuk e zbehen fare entuziazmin tonë. Aty kishim lënë pikëtakimin në orën 13:30, në pritje të mikrobusit, që siç e kanë zakon shqiptarët, nuk erdhi në kohën e caktuar, ndërkohë që ne u desh të fshihnim kokën për disa minuta nën çatitë e pallateve, për t’i shpëtuar sadopak vapës djegëse. Për disa prej nesh ishte takimi ynë i parë me miqtë që kishin ardhur nga Amerika dhe shkëmbimet e para ishin mes asaj vapë përcëlluese. Ajri i kondicionuar i mikrobusit, na freskoi jo vetëm trupin, por edhe mendimet dhe zemrat tona, dhe për pak minuta i harruam djersët që na kullon, teksa prisnim që të niseshim. 

Rreth 40 persona, anëtarë të Kishës së Besimit Biblik në Tiranë, por edhe miq të rinj dhe të ftuar rishtas, iu bashkuan kampit tonë veror në Divjakë. Surpriza më e bukur ishin vëllezërit tanë nga Amerika dhe Gjermania. Nathanael Schumacher, pastor në Indiana, bashkë me gruan e tij, Stephanie dhe dy vajzat e tyre të mrekullueshme. Gjithashtu, bashkë me ne ishte edhe Jeff Bower me vajzën dhe djalin e tij. David Kretschmer, i cili prej tre muajsh shërben në Shqipëri, ishte gjithashtu me ne bashkë me gruan e tij dhe vajzën e tyre Eleonora. Rreth orës 16 e 30 të datës 24 korrik e gjetëm vetën të akomoduar në resort Divjaka, një kompleks gjigant në zemër të Divjakës, ku panorama magjepsëse dhe mikpritja e stafit, na befasoi që në momentin e zbritjes nga mikrobusi. Aty kuptuam se e gjithë kjo mrekulli ishte vetëm maja e ajsbergut e momenteve të bukura që do të kalonim në ditët në vijim. 

E gjithë koha jonë ishte e organizuar sipas një grafiku të paracaktuar, ku ndërthureshin me përsosmëri 3 elemente kryesorë; Rritja shpirtërore, edukimi, por kishim edhe gjithë kohën e duhur për argëtim, njohje dhe shkëmbim ekperiencash personale mes njëri – tjetrit. Gjysma e dytë e ditës së parë të kampit ishte plotësisht e lirë, ku i vetmi orar i ‘zënë’ ishte darka në 19 e 30, ku duhej të mblidheshim të gjithë bashkë. Shumë prej nesh, pasi pushuam për disa çaste, nuk i rezistuam dot pishinës së mrekullueshme që shkëlqente nën dritën flakëruese të diellit, që për çudi, dukej se nuk përcëllonte aq shumë sa në Tiranë. Të bashkuar nën dashurinë e Zotit dhe atë vëllazërore, mbrëmja vazhdoi duke biseduar me njëri-tjetrin, duke luajtur lojëra të ndryshme dhe kjo ishte një kohë e mrekullueshme, për t’u njohur nga më afër dhe për të qenë të gatshëm për ditët plot gëzim që na prisnin. Dikush rrokulliste disa gota birrë dhe verë, ndërsa disa të tjera mjaftoheshin me një shishe ujë, apo me lëngje frutash. Mëngjesi i 25 korrikut nuk na gjeti të gjithëve bashkë në orarin e caktuar. Disa prej nesh, të lodhur nga udhëtimi, vapa dhe ditët e ngarkuara të punës, erdhën disa minuta me vonesë në takimin e mëngjesit dhe kjo shpesh herë e shqetësonte Davidin, si një gjerman korrekt dhe i fiksuar pas orareve fiks. Ishte një mëngjes punë dhe devocioni gjithashtu, ka paraqitëm edhe axhendën e 4 ditëve në vijim. Paraditja ishte e gjitha e zënë. Niste me mëngjesin, kohën shpirtërore dhe mësimin e gjuhëve të huaja. U ndamë në tre grupe, bazuar në preferencat e gjithësecilit prej nesh. Dy grupet e para që drejtoheshin nga Jeff, Net dhe Kent ishin për mësimin e gjuhës angleze (njëri grup i avancuar, tjetri fillestar), ndërsa grupi tjetër, që ishte edhe grupi më i madh, por edhe fatlum që u akomodua në sallën moderne të konferencave të resortit, ishte grupi i mësimit të gjuhës gjermane, që drejtohej nga David dhe bashkëshortja e tij. Për të mos harruar grupin më të bukur, atë të fëmijëve, dhe punën e palodhshme të Angi, Almës dhe Stephanie. Si një anglishtfolës i mirë dhe i apasionuar pas gjuhës gjermane, rreth të cilës nuk dija asgjë, zgjodha t’i bashkohem grupit të David. Rezultati ishte mbresëlënës. Sot di shumë gjëra në gjermanisht dhe mezi po pres shtatorin për t’u regjistruar në një kurs gjermanishte, gjithnjë nëse David nuk gjen kohën e duhur që të ofrojë një orë gjermanisht tek kisha jonë në Tiranë. Kështu nisi dita e dytë e kampit. Teksa, të gjithë kishim fituar energjitë e duhura dhe kishim njohur mirë njëri-tjetrin, disa prej nesh nisëm përpjekjet e para, për të mësuar gjermanisht, ndërsa të tjerët përvetësonin anglishten. 

A nuk është e gjitha kjo një kohë e mrekullueshme? 

Miqësi të reja, rritje shpirtërore, njohje me gjuhë dhe kultura të reja. 

Çfarë bekimi! 

Pas studimit të zgjatur, me një ndërprerje të shkurtër (coffee time), na priste një drekë e mrekullueshme. Aq i madh ishte peshku i pjekur me shumë kujdes nga kuzhinerët e resortit, saqë një pjesë e tij kishte dalë jashtë pjatës, madje edhe Mario u ngop, saqë kur erdhen frutat dhe ëmbëlsira nuk kishte më vend në stomak për to. Në fakt, ushqimi ishte edhe ana tjerër e medaljes së këtyre pushimeve. Shërbimi cilësor, shumëllojshëmria dhe bolleku, si dhe gatishmëria e stafit na shoqëroi çdo sekondë të qëndrimit tonë në resort. Pas një dreke të ngarkuar, ishte e domosdoshme që të pushonim disa minuta, për t’u bërë gati për plazh. Mario, që jo rrallë rrëmbehej nga filmat, na ‘vidhte’ shpesh herë edhe kohën e pushimit në pishinë apo në det, gjë që na ‘nervozonte’ herë pas here mua dhe Eltisit. 

Pishina, një hapësirë gjigante, vetëm disa metra nga hoteli, dhe shkëlqimi i saj, frenonte shumë prej nesh që të shkonim në det, ku panorama ishte magjepsësë, sidomos gjatë perëndimeve të diellit. Thuajse të gjithë i kalonim pasditet tona tek pishina, duke frekuentuar më pak detin, edhe pse ishim të vetëdijshëm se kishim nevojë për jodin dhe kripën e detit. Pas pishinës, në mbrëmje, sipas dëshirës, ndaheshim në grupe dhe luanim volejboll, ping pong, madje edhe tenis. Si amatorë që ishim, aty takuam edhe një italian, i cili na dha disa leksione rreth këtij sporti mjaft atraktiv. Edhe pse kishim kaluar një pasdite të mrekullueshme, shumë prej nesh nuk e dinin që mbrëmja do të ishte edhe më magjepsëse.

 Ishte nata shqiptare. 

Miqtë tanë nga Amerika, e shijuan në maksimum, edhe pse fillimisht vallet tona dukeshin të pakapshme për ta. Në oborrin e resortit, një hapësirë private ishte e gjitha në dispozicionin tonë. Pasi ekspozuam disa nga ushqimet dhe pijet tradicionale të vendit tonë, kaluam momente të gëzueshme, në ritmet popullore të këngëve dhe valleve shqiptare. Nuk kaloi shumë kohë, dhe grupit tonë iu bashkuan edhe disa persona të tjerë që ndodheshin në hotel, të gjithë të panjohur për ne. Siç duket nata shqiptare shkoi shumë mirë dhe i rrëmbyem zemrat e të gjithëve. Duke kulluar nga djersët, Net, David, Jeff, Kent, Stephanie, Engie dhe të gjithë vëllezërit dhe motrat tona nga SHBA dhe Gjermania i përvetësuan shumë shpejt vallët tona tradicionale. Pas mbrëmjes shqiptare, pat edhe një postmbrëmje të vogël, në lokalin e resortit, edhe pse ora kishte vajtur 1:00 pas mesnate. “Ju djema flini shumë vonë”, na thonte vazhdimisht Net. Kështu u mbyll edhe dita e dytë e kampit tonë. Megjithëse e lodhshme, mund të dalloje me sy të lirë shkëlqim në fytyrën e gjithësecilit. 

Çfarë kohe e mrekullueshme. 

Në fakt ky ishte formati i të gjitha ditëve të qëndrimit. Mëngjesi, devocioni, kursi i gjuhës, dreka, pishina dhe plazh, sporte të lira, darka, dhe koha e lirë pas darkës. E tillë nisi edhe dita e tretë e kampit. Të lodhur nga kërcimi i një natë më parë, jo të gjithë ishim në orarin e caktuar në takimin e mëngjesit. Kjo, sigurisht që nuk i pëlqente Davidit, edhe pse bëhej fjalë për 10 minuta vonesë. E nisëm ditën me një devocion dhe kohë shqipërtërore, ku falënderuam Zotin për kohën e mrekullueshme dhe ku Jeff mbajti një predikim të shkurtër. Devocioni fillimisht niste me disa këngë kushtuar Zotit, ku të udhëhequr nga Fabi i këndonim plot gëzim Perëndisë. E tille ishte çdo mëngjes koha devocionale. Fabi, Kenti, Net dhe Jeff predikonin për disa minuta pjesë të zgjedhura nga bibla. Paraditja nisi me kurset e gjuhëve. Pak nga pak, kuptova se po mësoj disa gjëra të reja në gjermanisht. Megjithëse e dija si gjuhë të vështirë, kuptova se objektivi për ta mësuar brenda 2018-ës ishte i arritshëm për mua. Pas kursit na priste një drekë e fuqishme dhe me ushqim të bollshëm, ndërkohë që pasditja vijoi si zakonisht, në pishina dhe plazh. Ndërkohë që bisedonim me njëri-tjetrin, kuptonim se sa shumë ishim miqësuar dhe se po kalonim një kohë të mrekullueshme. 

Mbrëmja ishte sërish e veçantë.

Ishte nata gjermane dhe duhej të ishim fiks në 9 të gjithë në sallën e konferencave. E gjitha ishte organizuar aq bukur, me mesazhe rreth kulturës gjermane, ushqimit dhe mësuam që kurrë në orën 20:00 nuk duhet të shqetësojmë një gjerman, pasi të gjithë janë me sy dhe veshe tek edicioni qëndror i lajmeve. U ndamë në disa grupe dhe organizuam një konkurs të vogël. Nuk e di nëse duhet ta thëm, por modestisht fitoi grupi ku unë bëja pjesë. Pas mbrëmjes patëm sërish një kohë të lirë, një postmbrëmje, ku rrokullisëm sërish disa birra. Aty u njoha edhe me historinë personale të Jeff, një histori frymëzuese dhe motivuese njëkohësisht. 

Dita e katërt, ishte edhe më e veçanta. Tre persona të kishës shpallën publikisht dëshminë e tyre dhe u pagëzuan. 

A nuk ishte kjo momenti më kulminant i këtyre pushimeve? 

Mes personave që u pagëzuan isha edhe unë. 

Çfarë gëzimi në zemrat tona. 

Të nisësh një jetë të re në Krishtin. 

Shkuam grup në një plazh të bukur, të veshur me bluza të njëjta, ku lehtësisht mund të identifikoheshim nga pushuesit e paktë që ndodheshin aty, dhe që rrëmbyem gjithë vëmendjen e tyre. Pas pagëzimeve patëm sërish një kohë të lirë. 

E mbyllëm ditën me prezantimin e “mbrëmjes amerikane”. Mbrëmja filloi me disa “trike” të vogla magjike të Net, dhe të gjithë mbeteshin me sy zgurdulluar, nga mënyra e bukur e interpretimit të tij. Mbrëmja vazhdoi me kërcime tradicionale amerikane, pastaj me pak pop dhe electro music. Të dashuruar pas valleve shqiptare, mbylljen e bëmë sërish me muzikë shqiptare. Kishim ende energji për të djegur, edhe pse bluzat tona rëndonin nga djersët. Aty kuptuam në fakt se Kent ishte një kërcimtar i shkëlqyer. Mbrëmja u mbyll pak e “dëshpëruar”, familja Bowers, do të nisej nesër në mëngjes për Amerikë. Dukej sikur Jeff dhe dy fëmijët e tij nuk donin të iknin. Ishin aq të lumtur për kohën që kaluan në Shqipëri dhe për miqësine me ne. 

Çfarë bekimi! 

Por, nuk ishte një ikje pa kthim. Ata na premtuan se ne verërat e ardhshme do kemi mundësi të jemi sërish bashkë. 

Mëngjesi i ditës pasardhëse ishte disi më i ëmbël. Nesër pas dreke do të largohemi, ndaj donim me çdo kusht të shijonim në maksimum edhe 1 ditë e gjysmë që na kishte mbetur. Mëngjesi ishte rutinë për ne. Pasi kaluam një natë të vonë me miqtë tanë të rinj dhe të vjetër, u zgjuam disi të lodhur. Dita vazhdoi me mëngjesin, kohën devocionale dhe kursin e gjuhëve të huaja. Dreka ishte sërish e bollshme dhe e shumëllojshme. Pasditja vijoi me pishinat, lojërat me letra, vojelboll dhe tenis. Sërish mbrëmja ishte e veçantë. Grupit tonë iu bashkuan edh disa vajza dhe djem të mrekullueshëm nga kisha në Divjake që pasuruan kohën dhe miqësinë tonë.Vazhduam me kërcime, biseda në grupe të vogla, ndërsa bisedat tona i shoqëronim me një lëng frutash apo ëmbëlsirë, edhe pse kishte vetëm 2 orë që kishim ngrënë darkë. Gjithçka ishte e mrekullueshme. Pas kërcimit, qëndruam disi më vonë në lokal, ku po bisedonim dhe tregonim histori personale të jetës. Për një kohë të gjatë me ne qëndroi edhe Net.

Data 29, ishte edhe dita e fundit në kamp. 

Nuk po kuptonim sesi kishin kaluar 5 ditë qëndrimi. Koha kishte fluturuar. Në fakt, ajo ecën aq shpejt, kur kalon momente të bukura. Duket sikur nuk do të ndalet fluturimi i saj, ndërkohë që ti po shijon në maksimum çdo detaj. E nisëm mëngjesin me zemra të “rënduara” dhe filluam me paketimin e valixheve tona. Donim të bënim çdo gjë gati, në mënyrë që të shfrytëzonim, kohën e lirë deri në orën 15:00 kur duhej të linim hotelin. 

Dita e fundit ishte e gjitha e lirë. Kishim përfunduar edhe me kurset e gjuhës, ndërkohë që Davidi me familjen e tij u larguan herët në mëngjës. Pas mëngjesit, të gjithë iu drejtuam pishinës, dhe aty kaluam gjithë paraditen tonë. Po bisedonim me miqtë tanë nga SHBA, biseda të fokusuara kryesisht mbi kulturat tona. Para nisjes me mikrobus, bëmë një ‘selfie’ të gjithë bashkë. 

Net e quajti dita “MIRUPAFSHIM”. Ishte një moment i vështirë. Në fund të këtyrë ditëve, bilanci ishte i pabesueshëm. 

Ishim rritur shpirtërisht, kishim krijuar miqësi të reja, kaluam një kohë të mrekullueshme mes miqsh dhe me Zotin dhe kishim tre pagëzime. 

Çfarë bekimi!

A nuk mendon edhe ti se këto ishin pushime të mrekullueshme?

Nga Alfons Çupaj