I drejti turret tek Zoti

I drejti turret tek Zoti

Emri i Zotit është një kala e fortë, tek ai turret i drejti dhe gjen siguri. Fj,U 18:10.

 

Njerëzit jetonin jashtë kalasë. Ata jetonin poshtë në fusha, atje ku ishin të mbjellat, kullotat, pyjet dhe uji. Ata nuk qëndronin çdo ditë në kala. Por, kur u kanosej ndonjë rrezik ose një ushtri vinte kundër tyre, dhe vrojtuesi që rrinte atje lart jepte shenjë e bërtiste “Shpejt në kala!”, të gjithë turreshin për atje.

 

Kur binte alarmi, të gjithë turreshin për në kala ashtu siç ishin. Nuk kishin kohë për të menduar ndryshe, as për alternativa të tjera, kalaja ishte vendi i shpëtimit për ta.

Kalaja mund të ishte pak larg, megjithatë ata turreshin drejt saj e nuk fshiheshin në vendin më të afërt, as më lehtë të gjindshëm.

Ata turreshin drejt kalasë sepse ajo është e fortë dhe, pa shembur kalanë, kundërshtarët nuk mund të kapnin as ata që strehoheshin në të. Sa më e fortë kalaja, aq më të sigurt të strehuarit.

 

Ne që jemi drejtësuar nga Krishti, jo gjithmonë sillemi si të drejtë. Ne nganjëherë harrojmë ku dhe kush është kalaja jonë. Kur një rrezik a një problem na vjen në jetën tonë, jo gjithmonë turremi te Krishti, kalaja e shpëtimit tonë. Ne kemi nevojë për siguri dhe e duam atë shpejt dhe sa me afër. Për t’u turrur te Zoti dhe për të pritur sigurinë që ai jep, na duket rrugë e gjatë. Ndaj mundohemi t’i biem shkurt e shpejt e të gjejmë zgjidhjen më të afërt e më të lehtë.

 

Kur kemi një të afërm të sëmurë, në vend që të turremi së pari në lutje te shëruesi ynë, shpesh ne turremi të gjejmë doktorin më të mirë dhe mënyrën se si t’i ofrojmë lekët që kërkon.

Kur jemi pa punë, jo gjithmonë turremi në lutje te siguruesi ynë dhe kërkojmë vullnetin e tij, por turremi të gjejmë një shok, një mik a një mënyrë, vetëm të marrim atë që kemi nevojë.

Kur jemi të lodhur dhe të rënduar shpirtërisht, jo gjithmonë turremi te bariu ynë që na përtërinë shpirtin,  por turremi te psikologu, psikiatri apo dikush tjetër që na bën të ndihemi mirë.

 

Ne harrojmë se emri i Zotit është kala e fortë dhe se ai është i vetmi vend i sigurt për ne. Ne nuk turremi gjithmonë atje për shpëtim e siguri. Ne harrojmë se jemi të drejtësuar nga Krishti dhe që i drejti turret te kalaja e shpëtimit.

Ne duhet t’i kujtojmë vetes kush jemi: Ne jemi të drejtë e duhet te jetojmë si të tillë.

Ne duhet t’i kujtojmë vetes: Çfarë veprimi duhet të bëjmë kur jemi në një situatë të vështirë, të turremi tek Zoti. Ne duhet t’i kujtojmë vetes: Se vetëm Zoti është kalaja e shpëtimit tonë dhe vetëm aty ka siguri të vërtetë.

 

Ne jemi çfarë mendojmë në momentin e vështirë dhe ku turremi për shpëtim. Ne jemi aq të sigurt sa është vendi ku strehohemi.